Gërmimet e kryera nga një kompani gazi në zonën periferike të kryeqytetit limen, Lima, kanë sjellë në dritë një vendvarrim të lashtë me një histori mbi një mijë vjet. Ky zbulim arkeologjik i fundit përfshin mbetje njerëzore dhe objekte funerale prej balte, që i përkasin kulturës së lashtë Chancay, një prej popujve autoktonë që ka jetuar në bregdetin peruan para periudhës së inkasve.
Punonjësit e kompanisë që kryenin punimet njoftuan menjëherë autoritetet pas gjetjes së mbetjeve, dhe vendi u inspektua nga arkeologët të cilët zbuluan dy varre të ndërtuara me tulla balte. Njëri prej tyre ishte i zbrazët, ndërsa tjetri përmbante eshtra dhe enë të ndryshme, të lyer me ngjyra tradicionale të kulturës Chancay, si të kuqe, të zeza dhe të bardha.
Kultura Chancay ka jetuar në zonën bregdetare rreth Limës, duke përfshirë zonat nga Huaura në luginën e Chillon, dhe konsiderohet një nga kulturat më të rëndësishme para mbërritjes së inkasve në rajon.
Lima dhe rrethinat e saj kanë qenë një vatër e qytetërimeve të hershme amerikane për mijëra vjet, duke e bërë çdo zbulim të ri një hap të rëndësishëm drejt kuptimit të historisë së lashtë të këtij rajoni.