Gjermania ka njoftuar se do të dërgojë gjatë dy ose tre muajve të ardhshëm sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore Patriot në Ukrainë, duke përfshirë lëshues dhe komponentë ndihmës.
Ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius, tha se kjo bëhet falë një marrëveshjeje të re me Shtetet e Bashkuara për të forcuar mbështetjen ndaj Kievit.
“SHBA-ja është e angazhuar dhe kjo na mundëson të dërgojmë fillimisht lëshuesit dhe më pas pjesë të tjera të sistemit Patriot,” u shpreh Pistorius, duke theksuar rolin udhëheqës të Gjermanisë në mbrojtjen ajrore të Ukrainës.
Ky vendim vjen ndërsa Rusia ka shtuar sulmet ajrore gjatë verës, dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka kërkuar vazhdimisht ndihmë për të përballuar kërcënimet.
Sistemet Patriot janë efektive në neutralizimin e raketave balistike ruse.
Në një deklaratë më parë, presidenti amerikan Donald Trump konfirmoi se SHBA do të siguronte sistemet, ndërsa aleatët e NATO-s do të mbulonin kostot.