Artistja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, ka shprehur mirënjohjen e saj për mbështetjen dhe energjinë që solli festivali “Sunny Hill” këtë vit në Prishtinë.
Në një postim në rrjetet sociale, këngëtarja falënderoi familjen, ekipin organizator, artistët dhe veçanërisht fansat që e bënë këtë edicion të paharrueshëm.
“Jam e mbushur me dashuri dhe falënderime për të gjithë ju që e bëtë këtë festival kaq të veçantë. Ju duam pafund. Deri vitin tjetër!” – shkroi Dua.
Festivali “Sunny Hill”, që nisi më 1 gusht, solli në Prishtinë një atmosferë unike, duke e kthyer kryeqytetin në një qendër ndërkombëtare të muzikës.
Dua Lipa performoi në natën hapëse me këngë nga albumi i saj i fundit Radical Optimism, si dhe hite të mëparshme që e bënë të njohur në mbarë botën.