Holanda do të jetë e para që kontribuon financiarisht në mekanizmin e ri të NATO-s për blerjen e armëve nga SHBA dhe dërgimin e tyre në Ukrainë. Ministria e Mbrojtjes holandeze njoftoi se do të dhurojë 500 milionë euro në kuadër të kësaj skeme të quajtur “Lista e Prioriteteve të Kërkesave të Ukrainës” (PURL).
Presidenti amerikan Donald Trump kishte njoftuar më parë që SHBA do të furnizojë Ukrainën me armë, me kusht që vendet evropiane të paguajnë për to.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, përshëndeti iniciativën e Holandës dhe bëri thirrje që edhe shtetet e tjera anëtare të bashkohen. Ambasadori amerikan në NATO, Matthew Whitaker, e cilësoi këtë një hap të rëndësishëm, duke paralajmëruar zhvillime të mëtejshme në ditët e ardhshme.









