Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një konferencë për shtyp u shpreh se shkaku madhor i rënies dramatike të turizmit sipas tij është narko-euroja. Berisha thotë se numri i turistëve rritet në mënyrë drastike dhe sipas tij zhvlerësimi i euros ka goditur turizmin.
“Shkaku i kësaj rënie, në mënyrën më të pabesueshme, por edhe të pandershme dhe të padenjë, fshihet nga narkoqeveria, fshihet nga mediat e narkoqeverisë, fshihet nga ekonomistët e vendit, mediat e vendit dhe operatorët turistikë.
E bëjnë këtë nga padija apo nga frika dhe kodi i mafies, unë nuk mund ta them.
Por u them me përgjegjësi të plotë se shkaku madhor i kësaj rënie dramatike është narkoeuroja. Narko-euro është toksina e vërtetë e turizmit.
Narko-euro është toksina e vërtetë e ekonomisë shqiptare. Është e paimagjinueshme se si në kodin e heshtjes, kjo nuk u thotë shqiptarëve.
Rënia e vlerës së euros në 35 përqind, rënia e vlerës së dollarit në 35 përqind, rënie e shpejtë dhe instalimi i saj në këtë nivel, bëri që turisti që më parë me 100 euro blinte shërbimet dhe mallrat e caktuara, një vit më pas duhet të shpenzonte në Shqipëri 135 euro.
Të fshehësh këtë, bëhesh bashkëfajtor në një krim. Pra, edhe njëherë, zhvlerësimi që iu bë monedhës europiane dhe amerikane në Shqipëri nga kontejnerët me euro dhe dollarë të narkosve shqiptarë, zhvlerësimi prej 35 përqind, goditi turizmin në mënyrën më të egër, pasi çdo turist në Shqipëri duhet të shpenzonte për të njëjtat shpenzime, të njëjta blerje, 35 më shumë euro.”, shprehet Berisha.