Partia e Lirisë i ka kërkuar zyrtarisht kreut të SPAK, Altin Dumani, të nisë hetimet ndaj kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut Erion Veliaj lidhur me aferën e inceneratorit të Tiranës.
Sipas anëtarit të këshillit bashkiak, Artan Distafa, nëse SPAK nuk vepron, atëherë po tregohet si vegël në shërbim të qeverisë për të goditur kundërshtarët politikë, duke marrë shembull rastin e Ilir Metës.
Partia e Lirisë denoncon se inceneratori i Tiranës, që në fakt nuk ekziston, ka regjistruar fitime marramendëse prej mbi 10 milionë eurosh, financuar nga taksat e qytetarëve.
Ata kërkojnë ndërprerjen e menjëhershme të pagesave, fillimin e hetimeve penale ndaj Ramës dhe Veliajt, transparencë mbi kontratat dhe pagesat, si dhe kthimin e parave të humbura në buxhet.
Sipas tyre, SPAK prej pesë vitesh heton këtë aferë, por nuk ka ndërmarrë asnjë veprim konkret për të vënë para përgjegjësisë kryeministrin dhe kryebashkiakun, duke dëshmuar një drejtësi selektive dhe të kontrolluar politikisht.