Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka depozituar një kërkesë në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke kërkuar shpalljen e pavlefshmërisë së akteve të hetimit që lidhen me të.
“Të gjitha shkeljet proceduriale të evidentuara në këtë kërkesë nuk janë çështje teknike të izoluara, as gabime të rastësishme të organit të akuzës.
Ato, të ndërthurura së bashku, përbëjnë një skemë sistematike devijimesh nga standardet e procesit të rregullt, të cilat nuk mund të justifikohen as me ngarkesën e punës, as me kompleksitetin e çështjes dhe aq më pak me ndonjë interes të paidentifikuar publik.
Në të vërtetë, kjo seri shkeljesh, nga fshehja e subjektit të hetimit, te manipulimi i afateve, përdorimi i ekspertëve të brendshëm, shkelja e privatësisë, mungesa e kapacitetit ligjor të prokurorit hetues dhe përdorimi i një kallëzimi të falsifikuar, shfaqin një prirje të qëllimshme për të ndërtuar një procedim penal që nuk synon drejtësinë, por synon një qytetar, një politikan dhe një të zgjedhur të qeverisjes vendore”, thuhet ne kerkesen e depozituar ne GJKKO.
Veliaj rendit të gjitha shkeljet e bëra nga Prokuroria e Posaçme lidhur me hetimin ndaj tij, si dhe argumenton të gjitha arsyet pse hetimet e deritanishme duhet të shpallen të pavlefshme.
Lidhur me hetimin ndaj tij, në kërkesën e zgjeruar drejtuar GJKKO-së, kryebashkiaku Veliaj konstaton se:
• Hetimi i çështjes nga një shtetas që nuk ka pasur kurrë statusin ligjor të prokurorit, pra një person që juridikisht nuk ka qenë asnjëherë prokuror sipas legjislacionit shqiptar;
• Ushtrimi i ndjekjes penale nga një person në konflikt të pastër interesi me subjektin e hetimit;
• Përdorimi i një kallëzimi penal të falsifikuar si bazë për nisjen e hetimeve, pa asnjë verifikim të identitetit të kallëzuesit;
• Kryerja e veprimeve hetimore pa regjistrim të procedimit penal, për të shmangur afatet, kontrollin gjyqësor dhe kufizimet ligjore;
• Tejkalimi i afateve hetimore përmes fshehjes së statusit të personit nën hetim;
• Sekuestrimi dhe përdorimi i të dhënave kompjuterike pa vendim gjykate dhe leximi i korrespondencave private në mungesë të çdo baze e autorizimi ligjor;
• Cenimi i së drejtës për mbrojtje efektive, përmes refuzimit të kohës së nevojshme për njohje me aktet;
• Përdorimi i ekspertëve të varur nga vetë organi i akuzës, në kundërshtim me standardet e paanshmërisë;
• “Fraksionimi” i çështjes si një mjet për të cenuar të drejtën për mbrojtje dhe sigurinë juridike;
Përdorimi i medias si zgjatim i akuzës, përmes rrjedhjeve të qëllimshme, manipulimit të opinionit publik dhe mosveprimit institucional kur sekreti hetimor rrjedh në publik.
Kërkesa me 77 faqe, e cila është depozituar tashmë në GJKKO, dokumenton me prova shkeljet e kryera nga Prokuroria e Posaçme, për shkak të të cilave Veliaj kërkon pavlefshmërinë e hetimeve të kryera ndaj tij, dhe rikthimin e ligjshmërisë, proporcionalitetit dhe paanësisë së hetimit.









