Një tërmet me magnitudë 6.0 goditi të dielën rajonin lindor të Afganistanit duke shkaktuar më shumë se 250 viktima dhe mbi 500 të plagosur, sipas agjencisë shtetërore BNA.
Epiqendra u regjistrua pranë Jalalabadit, në provincën Nangarhar, në një thellësi të cekët prej vetëm 8 km, çka rriti efektin shkatërrues të lëkundjeve.
Zyrtarët lokalë paralajmërojnë se numri i viktimave pritet të rritet, pasi ekipet e shpëtimit kanë vështirësi të hyjnë në zonat malore për shkak të rrëshqitjeve të dheut dhe rrugëve të bllokuara.
Sipas USGS, rreth gjysmë milioni njerëz e ndjenë tërmetin si të fortë, ndërsa pasgoditje të shumta kanë tronditur rajonin gjatë orëve në vijim. Autoritetet lokale dhe kombëtare janë mobilizuar për operacionet e shpëtimit dhe ndihmës humanitare.









