Një 36-vjeçare u vra nga burri i saj shqiptar në Greqi. Vajza e çiftit Pandeli dhe Marjola Nakoleci ka folur për televizionin grek MEGA dhe deklaron se të dy prindërit e saj janë fajtorë.
“Të dy janë fajtorë për mua. Na lanë në mes të rrugës, nuk menduan për ne. Mami kishte një lidhje tjetër, babi xhelozoi dhe filloi sherri. Ai njeri na hyri në mes dhe na prishi gjithë familjen”, tha Anastasia.
Ajo u shpreh se edhe pse babai e donte shumë mamanë, nuk kishte të drejtë të merrte jetën e saj.
“Më mori vëllai në telefon dhe më tha ‘eja shpejt’. Kur shkova, pashë gjithçka. Më tha: ‘Babi vrau mamin’. Këto zëra i kam ende të regjistruar në celularin tim”, shprehet Anastasia.
Ajo tha se pas krimit, babai ishte fshehur për disa orë dhe i kishte telefonuar asaj.
“Më tha: ‘Nuk doja ta bëja, nuk ishte qëllimi im’. Ishte e vetmja herë që më telefonoi. Nuk e di nëse dua ta takoj në burg. Dua, por do doja të ishte dhe mami aty…”
“Më mungon mami. Qaj çdo ditë. Shikoj fotot dhe nuk e besoj ende. Jam keq, por po përpiqem të bëhem më mirë. Është shumë e vështirë të jetosh pa mamanë dhe babanë”, rrëfeu mes lotësh 18-vjeçarja.









