Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka vendosur të mos e miratojë për momentin një paketë të re armësh për Tajvanin, me vlerë mbi 400 milionë dollarë. Sipas një raportimi të gazetës Washington Post, vendimi është i lidhur me përpjekjet e tij për të afruar një marrëveshje tregtare me Kinën dhe një takim të mundshëm me presidentin kinez Xi Jinping gjatë samitit të APEC muajin e ardhshëm në Korenë e Jugut.
Paketa në fjalë, e përshkruar si më e fuqishme se dërgesat e mëparshme, përfshin armë që rrisin ndjeshëm kapacitetet mbrojtëse të Tajvanit.
Megjithatë, burime pranë administratës amerikane theksojnë se qasja e Trump ndaj politikës së jashtme mbetet transaksionale duke prirë më shumë drejt interesit ekonomik dhe strategjik sesa angazhimit afatgjatë.
Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë kanë deklaruar se vendimi nuk është përfundimtar. Ndërkohë, Tajvani ka zgjedhur të mos komentojë drejtpërdrejt mbi raportimet, por ka ritheksuar se bashkëpunimi i sigurisë me SHBA-të vijon normalisht.
Pekini, i cili e konsideron Tajvanin si pjesë të pandashme të territorit të vet, ka reaguar vazhdimisht me ashpërsi ndaj çdo bashkëpunimi ushtarak mes Taipeit dhe Uashingtonit. Autoritetet kineze kanë paralajmëruar se përdorimi i forcës mbetet një opsion nëse Tajvani ndjek rrugën e pavarësisë me mbështetje të huaj.