Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas iu drejtua liderëve botërorë përmes video-lidhjes në OKB, pasi SHBA i revokoi vizat delegacionit palestinez, duke pamundësuar pjesëmarrjen e tyre fizike.
“Bëjmë thirrje për një armëpushim të përhershëm, si dhe për të garantuar akses humanitar përmes OKB-së dhe UNRWA-së,” deklaroi Abbas.
Presidenti Abbas deklaroi se shteti i Palestinës është i vetmi entitet legjitim për të marrë përgjegjësinë për qeverisjen dhe sigurinë në Gaza, duke përjashtuar çdo rol për Hamasin në të ardhmen politike të territorit.
“Hamas dhe fraksionet e tjera duhet të dorëzojnë armët pranë Autoritetit Palestinez. Ne duam një shtet të vetëm, të bashkuar, pa armë.”
Abbas e përshkroi shtetin palestinez si një projekt që bazohet mbi shtetin ligjor, barazinë, drejtësinë, fuqizimin e grave dhe të rinisë, si dhe ndarjen e pushteteve.
“Ne synojmë të ndërtojmë një shtet demokratik, modern dhe pluralist, ku sundon ligji dhe përfshihen të gjitha shtresat e shoqërisë.”
Presidenti palestinez falënderoi shtetet që së fundmi kanë njohur shtetin e Palestinës, përfshirë Francën, Mbretërinë e Bashkuar, Australinë, Kanadanë dhe Portugalinë dhe u bëri thirrje vendeve të tjera që të ndjekin të njëjtin shembull.
“Kërkojmë mbështetjen tuaj që Palestina të bëhet anëtare me të drejta të plota në Kombet e Bashkuara, tha ai.