-sidi education-spot_img
10.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

DASH/ Opozita paralajmëron rrezikun për sigurinë kombëtare dhe lidhjet e krimit me qeverinë

Kryesoret

Deputetët e opozitës në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe Mbrojtjes ngritën shqetësimin për cenimin e sigurisë kombëtare gjatë viteve të fundit për shkak të lidhjeve të krimit me zyrtarët dhe qeverinë, niveli i narkorafikut, pastrimi i parave dhe ndikimi te bizneset, investimet e huaja dhe ekonomia.

Pas hapjes së punimeve nga kreu i këtij komisioni, Bledi Çuçi, i pari që mori fjalën ishte deputeti i PD-së, Klevis Balliu, i cili ngriti shqetësimin e rendit dhe të sigurisë në vend, duke theksuar se siguria e vendit po kërcënohet seriozisht dhe se raporti i DASH dhe takimi i Arubas duhet të ishin objekt diskutimi dhe debatesh në Komision dhe deri në Parlament.

“Duke marrë parasysh gjendjen aktuale të vendit, bazuar te raportet ndërkombëtare, siç ishte dhe ai I DASH. Duke iu bazuar dhe raporteve të Antimafias italiane, është me rëndësi që ky komision, përpos projektligjeve të reja, të respektojë dhe garantojë respektimin e ligjeve aktuale sot, pasi cenohet siguria. Ne duhet të garantojmë që ligjet që kemi sot, të respektohen. Duhet të vëmë para përgjegjësisë njerëzit që s’po kryejnë detyrat, sidomos ata të sigurisë. Ky komision duhet të informohet për takimet që supozohet dhe sipas raporteve të Antimafias italiane që politikanë të niveleve të larta kanë pasur kontakte dhe takime me personalitet të krimit të organizuar. PD do të jetë e hapur për debat, që të çojmë para agjendën drejt BE”, tha ai.

Më tej ligjvënësi i PD-së vuri theksin te rëndësia e sigurisë kombëtare dhe e rendit në vend, teksa kërkoi diskutime konkrete për dy nga çështjet më të rëndësishme, si raporti i DASH dhe takimi i Arubas.

“Siguria është e të gjithëve nuk i përket një partie. Nuk duhet të harrojmë që në këtë vend prej kohësh kemi pasur qytetarë të pafajshëm që kanë ngelur viktima të përplasjeve mes bandave. Kjo do të jetë një çështje që ky komision duhet të merret. PD është e hapur për diskutime për të siguruar rendin në vend, sepse siguria është në rrezik”, tha Balliu.

Në të njëjtin diskurs ishte edhe deputeti tjetër i PD-së, Gent Strazimiri, që gjithashtu ngriti shqetësimin për implikimin e zyrtarëve të qeverisë me krimin e organizuar, duke u shprehur se “siguria kombëtare është e cenuar dhe në rrezik”, duke kërkuar edhe marrjen e masave.

Kurse Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, u shpreh se arsyeja pse komisionit iu ndërrua emri nga “Komisioni për Sigurinë Kombëtare”, është sepse kjo mazhorancë dhe kryeministri Rama ia kanë besuar sigurinë Kombëtare karteleve të drogës.

Ai megjithatë ka siguruar se edhe pse përballë një qeverie të dalë sipas tij nga një farsë elektorale nga 11 maji, do të vijojnë punën në komisione dhe jetë parlamentare.

“Në një demokraci normale produkti votës së lirë, komisioni, ka një autoritet të fortë kontrolli të politikave në disa ministri dhe ndaj Shërbimit Informativ. Por kur e gjitha vjen si rezultat i një farse ekonomike, edhe fusha e veprimit të komisionit është e cunguar. Shihni që nga emri, ka 35 vite që ky komision quhej Komision i Sigurisë Kombëtare. Me një operacion plastik të narkosit në pushtet u hoq “siguria kombëtare” pasi tashmë i është besuar karteleve. Do japin llogari Agasi, Troplinët, Suel Çela, e të tjerët”, tha deputeti i PD-së në komision.

Depueti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, vuri theksin te cenimi i sigurisë kombëtare nga ekonomia dhe rënia e vazhdueshme e euros, duke kërkuar raportime në Komision nga krerët e institucioneve.

Kurse kryetari i komisionit në mbyllje të mbledhjes së komisionit, i garantoi opozitës aksesin e shprehjes në komision derisa të ishte ai kryetar, por sipas rregullave, etikës dhe kushtetutës, duke kujtuar se objektet e komisionit ishin kryesisht ndryshe nga një pjesë e diskutimeve që u bënë.

Por ai pranoi se ato që u thanë në lidhje me rendin dhe sigurinë do të trajtoheshin në vijim.

“Për sa i takon asaj që thoni se është cenim i sigurisë kombëtare ajo që thoni për euron, ekonominë dhe të tjerat, mendoj dhe i qëndroj asaj që thashë se nuk është në objektin e këtij komisioni që ne duhet të diskutojmë. Nesër mund të na bjerë edhe një pandemi. Sigurisht që është edhe çështje e parlamentit, por janë të ndara në komisione ku diskutohet. Ne jemi të limituar, por gjithsesi në emër të komisionit do i diskutojmë këto gjëra dhe brenda hapësirave dhe s’ka asnjë paragjykim për rolin e opozitës dhe aksesin e saj, do e keni të gjithë aksesin tuaj dhe sa të jem unë kryetar i komisionit do ta ushtroni gjithmonë këtë të drejtë, por gjithmonë brenda rregullores dhe etikës”, përfundoi Çuçi.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit