Misioni i OSBE-së ka reaguar lidhur me ngjarjen e rëndë që ndodhi brenda Gjykatës së Apelit në Tiranë, ku u vra gjyqtari Astrit Kalaja.
“Jemi thellësisht të tronditur dhe të hidhëruar nga të shtënat me armë brenda Gjykatës së Apelit në Tiranë, që i morën jetën gjyqtarit Astrit Kalaja dhe plagosën dy persona të tjerë.
I shprehim ngushëllimet tona familjes dhe kolegëve të gjyqtarit Kalaja dhe u urojmë shërim të shpejtë të plagosurve.
Prezenca e OSBE-së dënon me forcë këtë akt të dhunshëm. Sulmet kundër gjyqtarëve janë sulme të drejtpërdrejta ndaj shtetit të së drejtës dhe institucioneve demokratike.
Ndërsa rrethanat e plota të sulmit janë ende nën hetim, ne mirëpresim arrestimin e shpejtë të autorit të dyshuar dhe theksojmë rëndësinë e garantimit të vendosjes së drejtësisë përmes një procesi ligjor të plotë e të shpejtë“, thuhet në reagimin e OSBE-së.