-sidi education-spot_img
18.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Pas vrasjes së gjyqtarit Kalaja, Gjykata e Lartë thërret mbledhje urgjente me të gjithë gjyqtarët e vendit

Kryesoret

Pas vrasjes tronditëse të gjyqtarit Astrit Kalaja brenda sallës së gjyqit në Tiranë, Gjykata e Lartë ka thirrur një mbledhje urgjente me të gjithë gjyqtarët e vendit. Takimi do të mbahet të enjten, më 9 tetor 2025, në ambientet e Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Sipas njoftimit zyrtar, mbledhja ka për qëllim bashkimin dhe reflektimin institucional pas ngjarjes së rëndë, si dhe riafirmimin e pavarësisë së gjyqtarëve përballë çdo lloj presioni apo dhune.

Njoftimi i Gjykatës së Lartë:

Ngjarja e rëndë dhe e dhimbshme e ndodhur së fundmi, që tronditi thellë sistemin gjyqësor dhe opinionin publik, ka nxjerrë në pah gjendjen e brishtë të sigurisë, por edhe rëndësinë e respektit që duhet të shoqërojë ushtrimin e funksionit gjyqësor.

Pas dakordësisë së shprehur nga të gjithë gjyqtarët e Gjykatës së Lartë dhe pas takimit të zhvilluar me zëvendëskryetarët e të gjitha gjykatave të vendit, është autorizuar Kryetari i Gjykatës së Lartë që, në ushtrim të përgjegjësive institucionale, të thërrasë të gjithë gjyqtarët e Republikës së Shqipërisë në një mbledhje të veçantë, e cila do të zhvillohet ditën e enjte, më datë 9 tetor 2025, ora 10:00, në ambientet e Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Kjo mbledhje përfaqëson një moment të rëndësishëm bashkimi, reflektimi dhe force morale për gjithë trupën gjyqësore të vendit, e cila do të shprehë qartë dhe me dinjitet se:

·         asnjë akt dhune nuk do ta përkulë drejtësinë;

·         asnjë kërcënim nuk do ta ndalë gjyqtarin të kryejë me ndershmëri detyrën;

·         asnjë presion politik apo publik nuk do të cenojë pavarësinë e gjykimit.

Gjyqtarët e Republikës së Shqipërisë do të qëndrojnë të bashkuar, me kurajë dhe vendosmëri, për të mbrojtur jo vetëm jetën dhe dinjitetin e tyre, por edhe vetë të drejtën e qytetarëve për një drejtësi të paanshme dhe të pavarur.

Në këtë moment të ndjeshëm, trupa gjyqësore i drejtohet opinionit publik me besim dhe respekt, duke ftuar të gjithë të kuptojnë se drejtësia nuk është armike e askujt, por mburoja më e fortë e shoqërisë dhe e çdo qytetari ndaj padrejtësisë dhe dhunës.

Ky është një moment që kërkon forcë, qetësi dhe unitet. Drejtësia shqiptare do të vazhdojë misionin e saj me dinjitet, besim dhe vendosmëri.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit