Kryeministri Edi Rama ka thirrur një mbledhje të posaçme të Kryesisë së Partisë Socialiste këtë të hënë në selinë qëndrore të PS-së, me synimin për të diskutuar përgatitjet për zgjedhjet e pjesshme lokale që do të mbahen më 9 nëntor 2025 në gjashtë bashki të vendit.
Mbledhja, e cila është planifikuar të nisë në orën 18:00, vjen në një moment ku strukturat vendore të PS-së pritet të angazhohen maksimalisht në terren. Rama do të kërkojë intensifikimin e punës organizative dhe do të japë udhëzime të drejtpërdrejta për përfaqësuesit politikë në qarqet ku do të zhvillohen zgjedhjet.
Bëhet fjalë për bashkitë Tiranë, Berat, Vlorë, Tepelenë, Cërrik dhe Mat, ku PS synon të konfirmojë dominimin elektoral. Deri më tani, vetëm në Tiranë është bërë publik emri i kandidatit – Ogerta Manastirliu, e cila do të garojë për postin e kryebashkiakes në kryeqytet.
Për pesë bashkitë e tjera, pritet që emrat e kandidatëve të miratohen gjatë kësaj mbledhjeje.








