Liderë nga mbi 20 vende pritet të mblidhen sot në Sharm el-Sheikh të Egjiptit në një samit të bashkëkryesuar nga presidenti amerikan Donald Trump dhe ai egjiptian Abdel Fattah al-Sisi. SHBA, Egjipti, Katari dhe Turqia pritet të shprehin mbështetjen për një plan me 20 pika, që synon t’i japë fund konfliktit në Rripin e Gazës.
Sipas një zyrtari të administratës amerikane, qëllimi kryesor është arritja e një marrëveshjeje mbi parimet bazë të planit, pa përfshirjen e drejtpërdrejtë të palëve në konflikt – si Izraeli, Hamasi apo Autoriteti Palestinez.
Në samit nuk është ftuar Izraeli, ndërsa kërkesa e Autoritetit Palestinez për pjesëmarrje ka mbetur pa përgjigje. Mediat ndërkombëtare raportojnë se edhe Irani mund të ketë marrë një ftesë jozyrtare për konferencën.
Zyrtarë egjiptianë e kanë përshkruar samitin si një përpjekje për të çuar përpara paqen dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme dhe për të hapur rrugën drejt normalizimit rajonal.








