Sot pritet të mbahet seanca paraprake për çështjen e ish-kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshortes së tij dhe personave të tjerë.
Në seancën do të shqyrtohen akuzat penale që rëndojnë ndaj Veliajt, i cili prej 10 shkurtit ndodhet pas hekurave, si dhe do të vendoset nëse dosja ndaj ish-kryebashkiakut do të kalojë apo jo për gjykim.
Seanca e shkuar u shty për shkak të bojkotit të avokatëve mbi ndalimin dhe arrestimin e avokatit Ulian Bajarami para disa ditësh me urdhër të prokurorit në Gjykatën e Elbasanit.
Veliaj u arrestua më 10 shkurt pasi akuzohet se, së bashku me bashkëshorten Ajola Xoxa, ndërtuan një skemë komplekse korrupsioni dhe pastrimi parash, për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga fondet e bashkisë së kryeqytetit dhe ryshfete nga biznesmenë.
Ndërsa të enjten e 2 tetorit Gjykata e Lartë rrëzoi rekursin e Erion Veliajt, i cili kërkon zëvendësimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg” me një masë më të butë.
Sipas SPAK, kryebashkiaku i kryeqytetit dhe bashkëshortja e tij kanë përfituar rreth 1 milionë euro nga kjo skemë korruptive, para që janë përdorur kryesisht për blerje luksoze në internet nga Ajola Xoxa.








