Mbi 40 trupa u gjetën sot në favelat Penha të Rio de Janeiros, një ditë pas operacionit më vdekjeprurës që Policia ka zhvilluar kundër krimit të organizuar në këtë shtet.
Sipas autoriteteve, gjatë aksionit humbën jetën të paktën 64 persona, mes tyre katër policë, ndërsa dhjetëra të tjerë u arrestuan dhe u sekuestruan armë e sasi të mëdha droge.
Banorët vendosën trupat në rrugë, duke kërkuar të afërmit e zhdukur.
Operacioni kishte në shënjestër grupin kriminal “Red Command” dhe u zhvillua pak ditë para ngjarjeve ndërkombëtare që pritet të mbahen në Rio në kuadër të COP30.
Organizatat për të drejtat e njeriut kanë kërkuar hetim të menjëhershëm për shkakun e vdekjeve dhe mënyrën e ndërhyrjes policore.








