Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, ka reaguar në Kuvend lidhur me protestën e minatorëve të Spaçit, duke denoncuar trajtimin çnjerëzor të protestuesve nga policia.
Ajo ka kërkuar që qeveria të merret më seriozisht me këtë kategori dhe të respektojë të drejtat e punëtorëve.
“Ministrja e Ekonomisë nuk është këtu, ndërkohë që minatorët po protestojnë jashtë kësaj salle për trajtimin çnjerëzor që ju bëri policia dy javë më parë. Nuk kam dëgjuar asnjë koment nga ministrja e Brendshme. Është e papranueshme që minatorët të tërhiqen zvarrë nga punonjësit e policisë. Kjo është një sjellje e papranueshme ndaj një grupi punëtorësh që kanë kontribuar për vitet e tëra në ekonominë e vendit. Po ashtu, ministrja e Ekonomisë duhet të takohet me përfaqësuesit e minatorëve dhe të trajtojë seriozisht kërkesat e tyre. Të drejtat e punës janë të shenjta dhe asnjë kompani private nuk mund të pengojë këta minatorë të organizohen dhe të kërkojnë përmirësimin e kushteve të tyre. Në emër të PD-së kam depozituar një status për minatorët që qeveria e refuzoi, por kjo është një çështje shumë e rëndësishme, pasi ata janë grupi që penalizohet më shumë, duke punuar në kushte të rënda dhe të pasigurta,” shprehet Tabaku.









