Gjykata e Vlorës sot ka lënë në burg pa afat 32 vjeçarin Hjari Bajramin, për aksidentin e shkaktuar ditën e djeshme në orët e para të mëngjesit duke lënë të vdekur 17 vjeçarin.
Gjykata ka pranuar kërkesën e Prokurorisë ndërsa 32-vjeçari akuzuhet për veprën penale “shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “drejtimi i automjetit në gjendje të dehur”.
Gjatë seancës i akzuari ka kërkuar falje për ngjarje.
Ndërkohë jashtë gjykatës të pranishëm ishin edhe familjarët të 17 vjeçarit që humbi jetën në aksident.
“Ne kërkojmë nga drejtësia, që vërtet ai e ka marrë atë çfarë meriton, por ne kërkojmë të ashpërsohet ky ligj pasi ai nuk është një aksident, por për ne është një vrasje me dashje.
Në momentin që ecën ne bulevard me 200 km/h dhe të jesh i papërgjegjshëm dhe të të dalin të dyja testet e bëra të alkoolit pozitiv, për ne kjo është…ku di unë, nuk ka fjalë dhe nuk e përshkruajmë dot.
Nuk arrijmë dot ta besojmë të gjithë atë që ka ndodhur. Kërkojmë të ashpërsohet ligji dhe të mos ngelet me burg apo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, se kjo nuk është shkelje e qarkullimit rrugor, por për ne është vrasje me dashje”, thanë familjarët.









