Në mbledhjen e sotme të Grupit Parlamentar të PD-së, Sali Berisha vijoi sërish sulmet ndaj kryeministrit Edi Rama dhe Belinda Ballukut, pasi kjo e fundit u mor e pandehur për tenderin e tunelit të Llogarasë. Për Berishën, këto shkelje janë kryer nga kryeministri Rama. Berisha tha se ose do ta largojnë kryeminstrin nga qeveria, ose do të jetë fundi i opozitës.
“Nuk ka pasur në historinë 32-vjeçare të shtetit, akt flagrant si ky. Është djegësi, por është proces vullkan. Në zierje. Kurse këtu nuk ka, janë dy persona, Edi Rama dhe Lubi Balluku. A e dini që kanë ndenjur 4 orë në zyrë ata në gjendje shoku, kolapsi. Dhe ajo i thotë, nuk jap fare dorëheqjen se kam zbatuar vetëm porositë e tua. Edhe atij i ka thënë, mos më shih për grua, se vesh rrobat e burrit. Se ajo sot ka 50-vjetorin e ekzekutimit të gjyshit të vet, i cili ishte një serial killer. Po të lexoni për Beqir Ballukut, ai ka qenë një serial killer. Ka vrarë intelektualë të Tiranës si serial killer. Por ato janë çështje të tyret.
Afera e tunelit të Llogarasë është aferë e Edi Ramës para se gjithash. Ndaj dhe demokratët, atë që i bënë Erion Veliajt, atë fat do i rezervojnë Edi Ramës. Nuk ka asnjë kod moral, asnjë gjë tjetër. Ose ai largohet, ose është fundi i opozitës. Unë kam shumë besim tek guximi, tek trimëria, tek vendosmëria e demokratëve, e opozitarëve, e qytetarëve. Tani e kanë lakuriq narkosin, tani nuk ka më iluzione”, tha Berisha.








