Një ngjarje e rëndë tronditi fshatin Gjorm të Vlorës, ku 32-vjeçari Bertil Alliaj dyshohet se ka vrarë kushëririn e tij, Dalan Alliaj, pas një konflikti për motive të dobëta.
Policia e Vlorës njofton se ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:00 përpara banesës së autorit, dhe viktima ka marrë plagë të rënda që i morën jetën në vend.
Menjëherë pas ngjarjes, Alliaj u largua drejt zonave malore, por forcat e rendit, në bashkëpunim me Prokurorinë, zhvilluan kërkime intensive dhe rreth orës 01:05 të mëngjesit, autori u arrestua në flagrancë.
Bertil Alliaj është një emër i njohur për autoritetet, pasi ishte në kërkim prej 10 vitesh për pjesëmarrje në “masakrën e Çoles” dhe ishte dënuar me 35 vite burg në mungesë. Sipas policisë, gjatë arratisjes ai lëvizte me pasaportë kosovare për të shmangur arrestimin.
Gjatë seancës gjyqësore, Alliaj ka qëndruar i heshtur, duke iu referuar vetëm avokatit të tij, ndërsa gjykata ka vendosur arrest me burg si masë sigurie.









