Ndalohet një polic dhe një oficer i komisariatit 3 pasi dyshohen se kanë ndihmuar Muçi Shalianjin të bëhet pjesë e AMP.
Policët e ndaluar janë Bruno Cara me detyrë specialist për hetimin e krimeve dhe Arshim Zjami me detyrë ndihmës specialist i policimit në komunitet në Komisariatin nr. 3, Tiranë, të cilët akuzohen për shkelje të procedurave ligjore në procesin e punësimit të Muci Shaljanit në AMP.
Shalianji mbeti i plagosur në atentatin ndaj Gilmando Danit me këtë të fundit që ngeli viktimë.
Njoftimi
Në vijim të komunikimit në lidhje me ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme në rrethrrotullimmin pranë aeroportit “Nënë Tereza”, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore pas kryerjes së veprimeve hetimore, ka ndaluar punonjësit e policisë Nënkomisar B.C., me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve dhe Inspektor A.Z., me detyrë Nd/Specialist i Policimit në Komunitet, pranë Komisariatit të Policisë Nr. 3, Tiranë, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Falsifikim i vulave i stampave ose i formularëve” dhe “Shpërdorim i detyrës”.
Këta punonjës policie dyshohet se në bashkëpunim kanë përpiluar Vërtetimin e Besueshmërisë për shtetasin M.Sh., pa pasqyruar në të, të dhënat të cilat përbëjnë shkak për cënimin e kushteve të sigurisë.
Ky detyrim i papërmbushur është i përcaktuar në dispozitat e ligjit “Për Policinë e Shtetit” dhe ligjet që normojë veprimtarinë e agjencive ligjzbatuese, gjë që ka sjellë punësimin e këtij shtetasi pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
Gjithashtu nga veprimet paraprake të kryera nga AMP-ja në lidhje me procesin e rekrutimit të shtetasit M.Sh., u konstatuan shkelje të procedurave ligjore.








