Memli Krasniqi njoftoi të mërkurën dorëheqjen si kryetar i partisë së dytë më të madhe në Kosovë, Partisë Demokratike të Kosovës.
“Sot pas shumë kohe reflektimi, ka ardhur momenti i duhur, prandaj sot kam vendosur të japë dorëheqje nga pozita e kryetarit të partisë”, tha Krasniqi.
Dorëheqja e tij vjen pesë muaj pasi ai ishte rizgjedhur në krye të partisë për një mandat të dytë në qershor.
Ai e kishte marrë drejtimin e partisë në vitin 2021.
Krasniqi njoftoi se do ta mbledhë konventën e partisë më 17 nëntor, ku do të zgjidhet kryetari i ri.
“Ky vendim nuk është as i momentit dhe nuk lidhet vetëm me zhvillimet e fundit. Është reflektim i gjatë i imi mbi atë se çfarë i duhet më shumë partisë në fazën e ardhshme”, shtoi ai.
Ai shtoi se PDK-ja ka nevojë për të krijuar “një momentum, dhe një mundësi të re për familjen tonë demokratike. Si dikush që nuk ka pasur asnjëherë ambicie për kryeministër, në zgjedhjet e ardhshme kandidati ynë duhet të jetë edhe kryetar i partisë”.
Gjatë udhëheqjes së tij, PDK-ja doli e dyta në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, duke i fituar 24 ulëse, me Bedri Hamzën si kandidat për kryeministër./REL








