Nga njësia 5 në një dëgjesë me qytetarët për buxhetin, kryeministri Edi Rama komentoi rikthimin e Erion Veliajt në krye të bashkisë së Tiranës pas vendimit të Kushtetueses.
Rama tha se Veliaj është në burg pa gjyq dhe ky është një paradoks i madh. Më tej, Rama tha se Tirana ka nevojë për drejtim dhe tha se nëse gjykohet që Veliaj duhet të jetë kryetari, jepini mundësinë të ushtrojë detyrën.
“Kryetarin e Bashkisë së Tiranës e kemi në burg pa gjyq, jemi në një paradoks të madh. Kur kryetari u mor dhe u tërhoq nga zyra për tu futur në qeli si i paraburgosur gjë që ndodh vetëm për njerëzit shumë të rrezikshëm, e kam thënë që është disproporcionale.
Çdo njeri në Shqipërinë dhe botën demokratike, deri kur gjykata e nxjerr fajtor është i pafajshëm. Nuk diskutohet që njeriun e merr, e fut brenda dhe lëshohen hiena dhe kllounat e ciklit politik dhe mediatik, vjen njëherë dënimi publik më pas pjesa tjetër.
Duke parë që shkallët e gjyqit nuk e nxorën të kryejë detyrën, ne menduam që Tirana nuk ka arsye të paguaj për një kohë të gjatë. Ne menduam në respekt të plotë të ligjit, sepse ligji thotë dy gjëra të ndryshme, tjetër për deputetin dhe tjetër për të zgjedhurin.
Kushtetuesja doli me një vendim tjetër, nuk kam arsye të gjykojë që e kanë parë nga një këndvështrim i arsyeshëm por i kundërt me gjykimin tonë. Kanë thënë që kryetari i Bashkisë është në pamundësi të ushtrojë detyrën.
Jepini mundësinë të ushtrojë detyrën, por deri atëherë ne jemi këtu dhe ju jeni këtu dhe të gjithë atyre në këtë qytet iu duhet që qyteti të punojë normalisht. Ne po e mbështesim bashkinë që të bëj më të mirën për buxhetin, ne menduam me Ogertën që të vazhdojmë të komunikojmë në këto dëgjesa në të gjithë territorin“ tha ai.








