Një shtet serioz, që ka vizion për të ardhmen e tij, sigurisht pjesën e bashkëpunimit me Diasporën duhet ta ketë prioritare, sidomos kur shqiptarët e larguar përbëjnë një pjesë të madhe në raport me popullsinë e mbetur. Eksperienca botërore ka treguar që shtete të tilla si Irlanda, Italia, Izraeli janë zhvilluar dhe kanë ecur përpara duke bashkëpunuar me diasporën e tyre dhe arritur rezultate në fuqizimin e vendit.
Por për ta arritur këtë bashkëpunim kërkohet që shteti amë të ketë një vizion të plotë të zhvillimit të vendit, një frymë bashkëpunimi patriotike në funksion të zhvillimit dhe perspektivës së vendit, jo në funksion të interesave të pushtetit të radhës por një paritet në ide dhe propozime, pa përdorim të një palë për interesat e palës tjetër. Përpara se të bëhen shfaqje entuziaste e fjalime deklarative kërkohen hapa konkretë të bashkëpunimit.
Japim rastin e Izraelit dhe bashkëpunimin e tij me diasporën. Shteti i Izraelit angazhohet në fuqizimin e organizatave izraelite për të rritur influencën e tyre si grupe presioni në politikën e vendit ku kanë emigruar. Investon në shkolla, mësimin e gjuhës, në ndihmën ndaj individëve të talentuar duke ndjekur nga afër përparimin e tyre.
Çdo familje izraelite ka detyrimin të dërgojë në atdheun e origjinës çdo vit fëmijët e tyre për tu lidhur me vendin, kulturën dhe atdheun duke paguar për qëndrimin e tyre dhe duke i siguruar Izraelit mbi një miliard dollarë në vit nga këto shpenzime. Shteti i Izraelit ka krijuar një industri të re të teknologjisë moderne dhe kërkon që fëmijët e izraelitëve të vijnë të punojnë dhe zhvillojnë këtë industri. Izraeli i ka hapur rrugën diasporës kryesisht për investime prioritare në vendin e tyre. Etj. etj.
Kthehemi në Shqipëri dhe si janë konceptuar marrëdhëniet me diasporën. Marrëdhëniet me diasporën sot në Shqipëri në regjimin e Ramës, konceptohen ashtu si zbulimi i Diellës në një vend ku ambienti digjital është primitiv. Por duhet për të tërhequr vëmendjen.
Marrëdhëniet e Ramës me diasporën janë marrëdhënie sipërfaqësore dhe shpërdoruese. Ai është drejtuesi i një qeverie të korruptuar që e ka mbyllur vizionin për zhvillimin e Shqipërisë vetëm në turizëm. Ajo që i ofron Rama diasporës është vetëm një shtëpi druri në male, ku një pjesë e investimit do të kalojë në marrjen e lejes së ndërtimit dhe plotësimin e kërkesave të burokratëve të pangopur të regjimit të Ramës. Rama, investimet e diasporës Shqiptare i ka bërë inekzistente me përjashtim të rasteve klienteliste të miqve të tij të veçantë.
Rama nuk mund të jetë arkitekt i bashkëpunimit me diasporën, kur vetë ai është autor i largimit në masë të shqiptarëve mbi 1 milion dhe kënaqësisë së tij për ti zëvendësuar me bangladeshas dhe afrikanë. Dhe kjo vetëm për të realizuar projektin e tij të kthimit të Shqipërisë në një projekt rental të pronave ku përfitues të tij është regjimi dhe oligarkët e tij. Gjithë këto prona i janë dhënë investitorëve arabë për tu pasuruar me pronat e shqiptarëve.
Samiti me Diasporën është në funksion të shfaqjeve të tij pa përmbajtje për të treguar “forcën” brenda hapësirave shqiptare si element përbashkues i shqiptarëve, për të justifikuar pushtetin e tij të korruptuar. Rama shfrytëzon naivitetin, dashurinë dhe patriotizmin e shqiptarëve të diasporës të cilët ndjehen “të vlerësuar” dhe harrojnë që përdoren në funksion të pushtetit të tij. Ai dekoron figurat e shquara shqiptare dhe mirë bën, por vetëm ata shqiptarë që nuk janë kritikë për regjimin e tij.
Nuk ka asnjë diasporë që intelektualët e saj të mos jenë kritikë për regjimet në vendet e tyre. Por ky evidenton ata që i ka kapur ose entuziastë nga ndërtesat e larta në Tiranë të ndërtuara nga paratë e drogës. Ai lavdëron në Tiranë puthadorët e tij, që i kanë bërë fresk politikave të tij me Vuçiç për Ballkanin e Hapur, apo shqiptarin pro-serb Abazoviç që arritjen më të madhe të tij për çështjen shqiptare në Malin e Zi ka rifutjen e kishës serbe dhe influencën e saj nacionaliste në një vend anëtar të NATO-s, etj.
Më qesharakja, në këtë takim të unitetit shqiptar me Autokratin Rama ishte prania e qeveritarëve të Kosovës që për hir të unitetit pranojnë armikun më të madh të çështjes së Kosovës, e cila është karta e tij e vetme për tu pranuar nga qarqet anti-kombëtare pro-serbe si aktor ballkanik.
Samiti i Diasporës nuk është gjë tjetër vetëm pjesë e propagandës së Edi Ramës për të justifikuar pushtetin e korruptuar, për të thënë se e duan shqiptarët. Por ai mbetet Autokrati që duhet të largohet menjëherë në interes të Shqiptarëve.









