SPAK i ka dërguar ish-kryeministrit Sali Berisha një fletëthirrje më 7 nëntor për t’u paraqitur të enjten në orën 10:00, në kuadër të hetimeve për ngjarjen e 21 janarit 2011.
Në një deklaratë nga selia e PD-së, ai tha se do të shkojë në Prokurorinë e Posaçme vetëm pasi ta marrë njoftimin zyrtarisht, duke akuzuar SPAK-un për përdorim politik të çështjes.
“Jam përgjigjur gjithë jetën time çdo thirrje të drejtësisë dhe do të përgjigjem sërish, por vetëm kur të marr fletëthirrjen.
Ata që përdorin këtë për propagandë për të mbuluar skandalet e Ramës dhe Ballukut tregojnë se janë shërbëtorë mjeranë të një bande që vjedh qytetarët,” tha Berisha.
Hetimet për 21 janarin janë rihapur nga SPAK në korrik 2024, në zbatim të vendimit të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, që e cilësoi ngjarjen si “krim shtetëror”.









