Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela dhe kreu i SPAK-ut, Altin Dumani, zhvilluan një vizitë zyrtare dyditore në Belgjikë (18–19 nëntor), ku u takuan me Prokuroren e Përgjithshme Federale, Ann Fransen. Në delegacion morën pjesë edhe drejtues të tjerë të prokurorive shqiptare.
Vizita u realizua në kuadër të marrëveshjeve ekzistuese të bashkëpunimit dhe si vazhdim i kontakteve të nisura një vit më parë në Tiranë. Në fokus të diskutimeve ishin hetimet ndaj grupeve të krimit të organizuar, çështjet financiare, pastrimi i parave, përdorimi i kriptomonedhave në aktivitete kriminale dhe mundësia e ngritjes së skuadrave të përbashkëta hetimore.
Palët ndaluan edhe te procedurat e ndihmës juridike ndërkombëtare, përfshirë shkëmbimin e informacionit, ekzekutimin e vendimeve penale dhe letërporosive. Si Shqipëria, ashtu edhe Belgjika vlerësuan nevojën për forcimin e kuadrit ligjor dhe rritjen e kapaciteteve për sekuestrimin dhe konfiskimin e aseteve kriminale.
Sipas të dy delegacioneve, bashkëpunimi aktual konsiderohet i suksesshëm, por kërkon zgjerim të mëtejshëm për t’u përballur me sfidat e përbashkëta në fushën e krimit të organizuar.









