-sidi education-spot_img
5.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Zbardhja vrasja e biznesmenit, arrestohen bashkëpunëtori dhe roja i karburantit, autorët në arrati

Kryesoret

Dy ditë pas ngjarjes Policia e Elbasanit ka shpallur në kërkim dy autorët e vrasjes së biznesmenit Mondi Mëhalla. Në pranga është vënë 32-vjeçari Xhino Ago, i dyshuar si bashkëpunëtor, pasi i ka dhënë makinën njërit prej autorëve. U arrestua edhe roja i karburantit Kujtim Pisha për moskallëzim krimi.

Por kush janë dy autorët sipas policisë?

Dy autorët janë identifikuar si Marselo Arani dhe Armando Kola. Naldi Gjini, i cili u shoqërua një ditë më parë pasi ishte parë ditët e fundit duke qarkulluar me makinën që përdorën autorët në ekzekutimin e 43-vjeçarit, është ende i shoqëruar dhe pa fletë arresti. Ndërkohë, në kërkim është shpallur edhe një person tjetër, i dyshuar si bashkëpunëtor.

Si ndodhi ngjarja?

Ngjarja e rëndë u shënua mbrëmjen e së dielës kur biznesmeni Mondi Mëhalla sapo kishte dalë nga një zyrë në karburantin në pronësi të tij “Xhaxhi Oil” dhe hyrë në makinën tip “Range Rover”. Ai u qëllua tre herë me plumba pistolete, dy prej të cilëve e kapën në kokë duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Njëri nga autorët ka dalë nga makina tip “Audi”, është afruar dhe e ka qëlluar. Dy autorët u larguan më pas drejt Librazhdit, ku edhe dogjën automjetin në fshatin Mirakë. Brenda mjetit, që u gjet e djegur paraditen e djeshme, u gjet edhe një pistoletë Beretta e përdorur në krim.

43-vjeçari nuk ishte person i panjohur për policinë, me precedentë për narkotikë dhe armëmbajtje pa leje. Ai jetonte në Tiranë në zonën e Komunës së Parisit, ndërsa kishte shtrirë prej vitesh aktivitetet e tij të biznesit në Elbasan.

NJOFTIMI I POLICISE

Vijojnë veprimet e thelluara hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të vrasjes së 43-vjeçarit.

Si rezultat i hetimeve të thelluara e të pandërprera, pas 24 orësh identifikohen dhe shpallen në kërkim dy shtetas të dyshuar si autorë të vrasjes.

Vihet në pranga një nga bashkëpunëtorët.

Në pranga u vu edhe 52-vjeçari, për “Moskallëzim krimi”, pasi nuk ka dhënë informacion (roja i karburantit).

Gjatë veprimeve hetimore u gjet i djegur automjeti i përdorur nga autorët dhe arma e zjarrit e përdorur në ngjarje.

Gjithashtu, u sekuestruan dokumenta shitblerjeje automjeti, 3 celularë dhe 2 DVR.

Si rezultat i një pune intensive hetimore të kryer në kuadër të operacionit policor të koduar “Strike”, për zbardhjen e autorësisë së ngjarjes së ndodhur më datë 30.11.2025, në lagjen “Emin Matraxhiu”, ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi M. M., alias E. H., strukturat për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Elbasan, në drejtimin e Prokurorisë dhe me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, gjetën prova të rëndësishme që çuan në zbardhjen e ngjarjes.

Gjithashtu, gjatë operacionit u zbardh mekanizmi i ngjarjes, i dokumentuar edhe me disa pamje filmike.

Në përfundim të hetimeve u bë arrestimi i shtetasve:

Xh. A., 32 vjeç, banues në Elbasan, (i dyshuar si bashkëpunëtor), për veprat penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”;

K.P., 52 vjeç, për veprën penale “Moskallëzim i krimit”.

Dhe u shpallën në kërkim shtetasit M. A., 32 vjeç, banues në Elbasan, ndërkohë që ishte në masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për një tjetër vepër penale, si dhe A. K., 35 vjeç, banues në Laç, (të dyshuar si autorë të vrasjes), për veprat penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

Nga veprimet hetimore rezultoi se automjeti i përdorur nga autorët është në pronësi të shtetasit Xh. A., i cili ia ka dhënë me hua për përdorje shtetasit M. A.

Grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet intensive hetimore për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit