41 vjeçari nga Shqipëria Tauland Toma, është arratisur nga burgu i Opera-s në Milano, një vend me siguri shumë të lartë. Ai ka qenë i dënuar nga shteti italian deri në vitin 2041, për kryerjen e vepreva penale “Grabitje të rrezikshme”.
Rasti i vitit 2013
Në historinë e tij kriminale, veçohet një episod i vitit 2013, që pati shkaktuar diskutime në prokuroritë italiane. Pas arratisjes nga burgu i Parmës, Taulant Toma ishte shpallur në kërkim. Policia italiane e kërkoi për dyzet ditë me radhë, duke përdorur ndjekje, udhëtime në qytete të tjera, përgjime telefonike dhe ambientale.
Vetëm më 23 tetor 2013, Prokuroria e Parmës mori vesh se ai ishte arrestuar në Belgjikë më 11 shtator dhe tashmë ishte në Liège, duke pritur ekstradimin. Ngjarja u konsiderua nga vetë Prokuroria si “paradoksale”, dhe u kërkua sqarim i drejtpërdrejtë nga ministritë e Brendshme dhe të Drejtësisë.
Tani historia përsëritet. I arratisuri konsiderohet si individ që lëviz shpejt, me eksperiencë në shmangien e kontrollit dhe një rrjet kontakti ende për t’u verifikuar. Prefektura ka aktivizuar një plan kërkimi të gjerë, me patrulla, pika kontrolli, kërkime në fusha dhe zona industriale, kontroll në kufijtë e brendshëm.
Ekziston frika se Taulant mund të përpiqet të largohet nga Italia ose të ribashkohet me grupe kriminale aktive në Europën Veriore.









