Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rikthimin në detyrë të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjitikës, Belinda Balluku.
Në një postim në rrjetet sociale, Bardhi e cilësoi këtë vendim si një akt politik, duke e lidhur me presionin që, sipas tij, Kryeministri Edi Rama ka ushtruar mbi institucionin e Gjykatës Kushtetuese.
Ai theksoi se opozita e kishte paralajmëruar një zhvillim të tillë dhe akuzoi anëtarët e Gjykatës për mosargumentimin e vendimit, duke sugjeruar se kjo ka për qëllim mbrojtjen e interesave të Kryeministrit dhe bashkëpunëtorëve të tij.
REAGIMI
Koha mund të blihet. Llogaridhënia jo!
Asnjë surprizë nga vendimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese për të pandehurën Belinda Balluku. Nuk është hera e parë që Gjykata Kushtetuese i nënshtrohet presionit mafioz të Kryeministrit. Opozita e kishte paralajmëruar këtë që ndodhi prej ditësh.
Madje 5 anëtarët në shumicë kishin bërë shumë mirë që as nuk kishin marrë mundimin të shkruanin qoftë dy fjali për të argumentuar vendimin e tyre, sepse fundja ai vendim ska asnjë lidhje me to, me Kushtetutën dhe me ligjin. Ai është vetëm një akt politik i Edi Ramës për të penguar drejtësinë dhe për të mbrojtur veten e bashkëpunëtoren e tij, dhe për këtë arsye nuk ka asnjë nevojë të justifikohet me sajesa juridike.
Mirëpo, kush gëzon sot, do të hidhërohet më shumë nesër! Dhe, më mirë se kushdo, këtë e di Edi Rama – Kryeministri peng i të pandehurës së vetme në historinë e Bashkimit Europian që as nuk jep dorëheqje, as nuk lejon ta shkarkojnë.
Për fat të mirë, vendimi i djeshëm është vetëm një akt i përkohshëm, që i jep pak kohë Edi Ramës për të mbrojtur aferat e tij korruptive dhe për të fshirë lotët e krokodilit përpara Belindës.
Vendimi nuk shuan përgjegjësi, nuk mbyll çështje, nuk i rikthen 50 milion eurot e grabitura, dhe nuk garanton mbrojtje afatgjatë. As për Edi Ramën, as për Belinda Ballukun. Aktet madhore korruptive nuk neutralizohen me manovra procedurale dhe as me vendime të përkohshme të marra nën presion të pashembullt ndaj Gjykatës Kushtetuese.
Fundi i kësaj historie nuk ka për të qenë triumfi i pandëshkueshmërisë dhe korrupsionit. Ka për të qenë triumfi i të vërtetës, drejtësisë dhe interesit publik. Sepse koha mund të blihet, por llogaridhënia jo!









