Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Vlorë–Gjirokastër) ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, e cila ka caktuar masën e sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj punonjësit të policisë Xh.Xh.
Punonjësi, me detyrë Specialist Hetimi në Seksionin kundër Trafiqeve pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, dyshohet për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës”.
Sipas AMP-së, masa e sigurisë është vendosur pasi punonjësi i policisë nuk ka përmbushur detyrat funksionale gjatë kryerjes së veprimeve procedurale në lidhje me një procedim penal të vitit 2024.









