Një natë me reshje të dendura shiu zhyti në ujë shumë zona të vendit. Videot dhe fotot e publikuara në rrjet tregojnë për qytete të përmbytura, rrugë të dëmtuara dhe autostrada të bllokuara nga rrëketë e ujit.
Mijëra shtëpi nën ujë. Dëme materiale. Makina të shkatërruara. Rrugë të dëmtuara. Toka të përmbytura e prodhime bujqësore të shkatërruara…
Janë 3 faktorë madhorë që po e bëjnë përmbytjen një armik gjithnjë e më të fortë dhe gjithnjë e më të dëmshëm:
1- Ne, njerëzit: Ne që kemi ndërtuar nëpër zona ish kënetore, në shtretërit e lumenjve, që kemi bllokuar kanalet e shkatërruar sistemin kullues. Ne që mbushim kanalet me gurë për të futur makinën në oborr, në që ndërtojmë ku dhe si të mundim, pa pyetur për asgjë. Ne që kemi shkatërruar pyjet, duke rritur erozionin dhe forcën e shkatërruese të reshjeve.
2- Ndryshimet e klimës: Moti është tashmë armiku më i madh i njerëzimit. Për 24 orë shiu mbushi liqenet e Drinit e u hapën portat e HEC-eve, sepse nuk bie borë, e cila shërbente dikur si rezervuar natyror i ujit. Reshjet nuk shtrihen në kohë, por bien në mënyrë të përqëendruar, duke u bërë me agresive.
3- Shteti, qeveria: Qeveria ka lejuar shkatërrimet që kemi bërë ne, me papërgjegjshmërinë tonë. Qeveria, në vend që të hartojë plane afatgjata për tu mbrojtur nga përmbytjet, përpiqet të mbyllë vrima dhe të presë fundin e shiut për të thënë “situata është nën kontroll”. Durrësi, Vlora, Lezha, Laçi, kërkojnë plane urgjente masash.
Qytetet duhet të investojnë për sisteme kanalizimesh që të përballojnë reshjet e epokës së re klimatike. Duhet të ndërtojmë me më shumë cilësi, veçanërisht rrugët, jo shkel e shko. Duhet të punojmë për plane serioze pyllëzimi(jo për foto në rrjet).
Duhet të ndalohet shkatërrimi i lumenjve dhe përrenjve. Ndërtimi i rrugëve me material lumor, është kthyer në një masakër mjedisore. Planet e ndërtimit në qytete e zona urbane duhet të hartohen në harmoni me sistemin e kullimit dhe jo në varësi të interesit të ndërtuesve, gjej shesh bosh e bëj kulla.
Infrastruktura kulluese duhet të shpallet objekt i rëndësisë se veçantë. Thërrisni inxhinierët më të mirë(jo ata që e blejnë doktoraturën në internet) dhe vërini të prodhojnë projekte që ti paraprijnë këtyre kushteve.
Çdo vit që kalon është kohë e çuar dëm. Nuk mund të justifikohemi më me faktin se nuk kemi çfarë i bëjmë motit. Klima ndryshon jo në favorin tonë. Ne duhet të mbrohemi që të mbijetojmë.









