Gjatë orëve të fundit të mbrëmjes, qarku i Elbasanit është përfshirë nga kushte atmosferike të paqëndrueshme, të shoqëruara me reshje shiu me intensitet mesatar e të dendur, dhe breshër.
Në zonat malore, në lartësi mbi 700 metra mbi nivelin e detit, kanë nisur reshjet e dëborës, duke krijuar nevojë për monitorim të vazhdueshëm të situatës rrugore.
Akset rrugore nacionale në të gjithë qarkun raportohen të hapura për qarkullimin e mjeteve. Në aksin nacional Elbasan–Qafë Thanë, konkretisht në zonën e Qafë Thanës, reshjet e dëborës kanë kërkuar menaxhim të trafikut nga shërbimet e Policisë Rrugore, të cilat po sigurojnë lëvizjen e automjeteve pa probleme madhore.
Në aksin rrugor Gramsh–Moglicë është konstatuar prezencë gurësh në disa segmente, si pasojë e reshjeve, por situata është normalizuar pas ndërhyrjes së menjëhershme të firmës kontraktuese, e cila ka kryer pastrimin e rrugës.
Sa i përket situatës hidrike, prurjet e lumit Shkumbin dhe përroit të Zaranikës nuk paraqesin problematika deri në këto momente. Ndërkohë, nga HEC Moglicë vijojnë shkarkimet në nivelin 390 m³/sekondë, paralelisht me prodhimin e energjisë elektrike.









