Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka reaguar në lidhje me arratisjen e Altin Ndocit, ngjarje e ndodhur ditën e djeshme.
“Nga verifikimet paraprake rezulton se, për shoqërimin e planifikuar, IEVP Durrës nuk ka informuar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe Komisariatin e Policisë Durrës, si dhe nuk ka raportuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve as planifikimin dhe as realizimin e vizitës mjekësore, në kundërshtim me aktet nënligjore në fuqi. Gjithashtu, rezulton se nuk janë respektuar procedurat standarde për shoqërimin e të paraburgosurve dhe të dënuarve”, thuhet në reagim.
Ndërkohë, shtohet se me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, është pezulluar i gjithë zinxhiri komandues i IEVP Durrës, me qëllim garantimin e një procesi të rregullt ligjor dhe administrativ.
Ndërkohë referuar ngjarjes dhe veprimeve të ndërmarra Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve në bashkëpunim me Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve, nën drejtimin Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, është vendosur ndalimi i shtetasve të mëposhtëm:
• Komisar Dezdemon Pazaj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
• Komisar Violeta Uka – Punonjëse e Policisë së Burgjeve;
• Kryeinspektor Dorjan Saraçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
• Inspektor Sali Ferrollari – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
• Inspektor Fatjon Braçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
• Inspektor Preng Marvataj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
• Kryeinspektor Aranit Çela – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
• Kryeinfermier Aulon Quku – Punonjës i IEVP Durrës.









