Gjykata e Posaçme ka vendosur të pushojë çështjen penale për shpifje që deputeti socialist Agron Malaj kishte ngritur ndaj kolegut të tij demokrat, Xhelal Mziu, nga i njëjti qark i Dibrës. Vendimi u dha nga gjyqtarja Irena Gjoka, e cila evidentoi mosparaqitjen e Malajt dhe të avokatit të tij si arsye kryesore për ndërprerjen e procesit.
Vendimi i GJKKO-së:
- “Viktima akuzuese Agron Malaj me datë 05.06.2025 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën për gjykimin e çështjes penale me të akuzuar shtetasin Xhelal Mziu, i akuzuar për veprën penale “Shpifja” e kryer botërisht, parashikuar nga neni 120/2 i Kodit Penal.
- Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Irena Gjoka, bazuar në nenet 59, paragrafi i tretë, 112, 384, 485 të K.Pr.Penale, me vendimin nr. 3, datë 15.01.2026 vendosi:
- Pushimin e gjykimit të kërkesës së regjistruar pranë kësaj gjykate me nr.30/101, datë 05.06.2025 që i përket viktimës akuzuese Agron Malaj, kundër të akuzuarit Xhelal Mziu, akuzuar për veprën penale “Shpifja”, parashikuar nga neni 120 pika 2 e Kodit Penal, për shkak të mosparaqitjes së viktimës akuzuese Agron Malaj dhe mbrojtëses se zgjedhur personalisht prej tij, av.M.Gj, pa shkaqe të arsyeshme.
- Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda 15 ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar”.









