Kryeministri Edi Rama këtë të enjte ka deklaruar pas mbylljes së mbledhjes me Grupin Parlamentar të PS-së se brenda këtij mandati Parlamenti duhet të miratojë një Reformë të re Kushtetuese. Ai gjithashtu tha se duhet të propozohet që të ulet numri i deputetëve në Kuvend në 100 deputetë.
Rama mes të tjerash tha se gjatë këtij mandati qeveria ka shumë punë, të cilat sipas tij kanë qëllim anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
“Ne jemi këtu për të bërë punën tonë dhe për te gjitha arsyet që i dimë, puna jonë nuk pret. Do të ishte qershia mbi tortë sikur të tjerët të ishin të interesuar të bënin të njëjtën punë për vendin dhe anëtarësimin e vendit në BE. Janë të angazhuar të përcjellin jashtë kufinjve se ky vend është një narkoshtet.
Kemi shtruar nevojën që Kuvendi i Shqipërisë të zvogëlohet në numër, kemi Kuvend me 140 veta, fare mirë mund të kemi Kuvend me 100 veta. Ka dhe aspekte të tjera që duhen zgjedhur nga njerëzit që dinë se çfarë shohin, lexojnë, thonë.
Kur vjen fjala te Kushtetuta e Shqipërisë duhet ngritur një grup që pastaj të hapë një proces, është shumë më tepër se një reformë zgjedhore, kërkon shumë më tepër hapësirë angazhim, burime. Ambicia do jetë duhet të jetë që në fund të mandatit të kalojmë edhe një Reformë Kushtetuese”, tha ai.









