Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, në bashkëpunim me UN Women, ka zhvilluar takimin e parë konsultativ me nëpunës të barazisë gjinore nga institucionet publike.
Takimi është pjesë e përpjekjeve për të zbatuar Strategjinë Kombëtare për Barazinë Gjinore 2021–2030 dhe për të koordinuar hartimin e planit të veprimit në nivel institucional.
Zëvendësministrja Denada Seferi nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rolin kyç të nëpunësve të barazisë gjinore në zbatimin efektiv të ligjit të ri.
Ajo shtoi se ligji garanton mbrojtjen nga diskriminimi për të gjithë qytetarët dhe vendos barazinë gjinore në qendër të politikave publike.
Ministria planifikon të vijojë organizimin e trajnimeve dhe takimeve tematike, me qëllim forcimin e kapaciteteve institucionale dhe zbatimin efektiv të standardeve kombëtare dhe ndërkombëtare në fushën e barazisë gjinore.









