Tre persona, mes tyre një punonjës i Burgut të Bradasheshit, janë lënë në arrest me burg nga Gjykata e Elbasanit, pas akuzave për futjen e drogës në qelitë e paraburgosurve.
Ndriçim Kroi, së bashku me Gerald Stamollën dhe familjaren e tij Esmeralda Komici, dyshohet se kanë koordinuar aktivitetin kriminal brenda institucionit.
Vendimi i gjykatës parashikon që të tre të qëndrojnë në paraburgim derisa të përfundojnë hetimet, ndërkohë që prokuroria do të ndjekë procedurat e mëtejshme.
Vendimi i Gjykatës së Elbasanit:
“Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan ka shqyrtuar çështjen me objekt “Verifikim të kushteve të caktimit të masës së sigurimit dhe marrjes në pyetje të personave nën hetim”, duke vendosur vazhdimin e masës së sigurimit “arrest në burg” për tre persona.
Seanca gjyqësore u zhvillua më datë 24.01.2026, me trup gjykues të kryesuar nga gjyqtarja znj. Suela Lika. Në përfundim të shqyrtimit, gjykata vendosi:
-Vazhdimin e masës së sigurimit “arrest në burg” për shtetasin Ndriçim Kroi, punonjës policie pranë IEVP Bradashesh, Elbasan, masë e caktuar më herët me vendimin nr. 748, datë 19.12.2025.
-Vazhdimin e masës së sigurimit “arrest në burg” edhe për shtetasin Gerald Stamolla, i paraburgosur për veprën penale të dhunës në familje, po ashtu bazuar në vendimin nr. 748, datë 19.12.2025 të Gjykatës së Elbasanit.
-Vazhdimin e masës së sigurimit “arrest në burg” për shtetasen Esmeralda Komici, e afërme e të paraburgosurit Gerald Stamolla, për të cilën masa ishte caktuar me të njëjtin vendim gjyqësor.
Gjykata urdhëroi që personat nën hetim të vijojnë të qëndrojnë në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale, me qëllim që të jenë në dispozicion të organit procedues.
Po ashtu, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan u ngarkua me ekzekutimin e këtij vendimi, ndërsa shpenzimet procedurale u lanë siç janë bërë. Shpërblimi për avokatin e caktuar kryesisht nga gjykata, R.H., do të parapaguhet nga Zyra e Buxhetit Gjyqësor.
Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, brenda 5 ditëve, duke filluar nga dita pas njoftimit të vendimit të arsyetuar. Vendimi u shpall më 24 janar 2026”.









