-sidi education-spot_img
5.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Leonard Demi: Shtrëngatë

Kryesoret

“Amerika është e madhe sepse është e mirë. Ditën, që pushon së qeni e mirë, pushon së qeni e madhe.” Alexis de Tocqueville

PARAFJALË 

Nën trysninë e ndryshimeve klimatike, Groenlanda (2 166 086 km2 ) ka evoluar nga një interes periferik, në një shqetësim qendror strategjik për NATO-n, BE-në dhe SHBA. Ajo është kthyer në një fokus të konkurrencës gjeopolitike dhe konfrontimit në rritje ndërmjet fuqive të mëdha për shkak të afërsisë me rrugët e reja të transportit detar në Arktik, vendndodhjes strategjike në lidhje me aktivitetet e sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe burimeve natyrore dhe minerare të pashfrytëzuara, që ndodhen në depozita të klasit botëror, kritike për tranzicionin e gjelbër dhe teknologjitë e përparuara ushtarake, që vendet transatlantike kërkojnë të thellojnë dhe zgjerojnë bashkëpunimin larg dominimit kinez dhe rus. Kjo i ka detyruar udhëheqësit e Groenlandës, territor autonom vetëqeverisës i Mbretërisë së Danimarkës me një popullsi prej 56 831 banorë, të pajtojnë vetëvendosjen kombëtare me kërkesat konkurruese të sigurisë të fuqive më të mëdha. Themeli i kësaj përpjekjeje është strategjia “Asgjë për ne pa ne”.

Në vitin 1951, Danimarka dhe Shtetet e Bashkuara nënshkruan Marrëveshjen e Mbrojtjes së Groenlandës, e cila u lejon Shteteve të Bashkuara të mbajnë baza ushtarake në Groenlandë, si dhe të ngrenë baza të reja ose “zona mbrojtëse” nëse Danimarka bie dakord dhe nëse konsiderohet e nevojshme nga NATO. Sipas kësaj apo marrëveshjeve aktuale, asgjë nuk i pengon SHBA të rritin praninë e tyre ushtarake në Groenlandë. Disa kërkesa strategjike, tashmë të njohura, u japin përparësi aseteve mbrojtëse të paralajmërimit të hershëm në Bazën Hapësinore Pituffik apo modernizimit të saj për të mbështetur projektin “Golden Dome/Kupola e Artë”, një arkitekturë e propozuar nga Pentagoni për mbrojtjen e Shteteve të Bashkuara nga raketat me kapacitete të vendosura në hapësirë. Megjithatë, Qasja e Presidentit Trump ndaj ishullit në fundvitin që lamë pas ngriti shqetësime të thella në Kopenhagen dhe Nuuk në lidhje me besueshmërinë afatgjatë të partnerit më kritik. Shtetet anëtare të NATO-s reaguan, gjithashtu, me alarm në rritje sepse në Groenlandë kryqëzohen dy interesa kryesore të Aleancës: mbrojtja e Atlantikut të Veriut dhe integriteti i territorit të një shteti anëtar sipas Nenit 5. Po kështu, retorika shtrënguese ka të ngjarë të vështirësojë interesin e Nuuk për t’u afruar me fqinjët amerikano-veriorë: SHBA dhe Kanadanë nëpërmjet Forumit të Arktikut të Amerikës së Veriut dhe të forcojë lidhjet e veta me BE dhe partnerët nordikë për t’u mbrojtur nga rreziqet politike dhe ekonomike.

MARRËVESHJA

Presidenti Trump shfrytëzoi vizitën e tij në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës për të deklaruar një ndryshim spektakolar: ai jo vetëm që përjashtoi përdorimin e forcës ushtarake për të përvetësuar ishullin Arktik, por anuloi edhe tarifat tregtare, që kishte planifikuar të vendoste për Danimarkën, Norvegjinë, Suedinë, Finlandën, Gjermaninë, Francën, Holandën dhe Britaninë e Madhe si kundërshtarë të planeve të veta, pasi kishin dërguar disa dhjetëra ushtarë për të kryer një mision eksplorues dhe, mbi të gjitha, për të demonstruar solidaritetin e tyre me Danimarkën. Presidenti njoftoi se kishte siguruar prani “të plotë” dhe të përhershme në territorin autonom danez si pjesë e një marrëveshjeje kornizë, që përfshin edhe NATOn, për t’iu kundërvënë kërcënimeve nga Rusia dhe Kina.

Diskutimet e ditëve të fundit për të zgjidhur të ardhmen e Groenlandës janë përqendruar tek propozimet për të rritur praninë e NATO-s në Arktik, për t’i dhënë Amerikës sovranitet mbi zona të caktuara të territorit të Groenlandës dhe për të bllokuar kundërshtarët, potencialisht armiqësorë të përfitojnë nga nëntoka e ishullit. Ky koncept ofron krijimin e një mision të ri të rëndësishëm të NATO-s në Arktik: “Roja Arktike”, në shenjë respekti për misionet e ngjashme të NATOs në Detin Baltik dhe Evropën Lindore, si dhe përditëson e zgjeron paktin e vitit 1951 me një marrëveshje të re, që mund të përvijohet sipas shembullit “zonë bazash sovrane” në Qipro, ku bazat ushtarake të Britanisë së Madhe konsiderohen si territor britanik. Po kështu, kufizon vendet joanëtare të NATO-s, veçanërisht, Rusinë dhe Kinën, të marrin të drejtën për të shfrytëzuar mineralet e rralla.

I pyetur për këto propozime, kryetari i Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admirali Giuseppe Cavo Dragone, tha se zyrtarët ishin “në një fazë shumë të hershme” të krijimit të një kuadri për sigurimin e Arktikut dhe Groenlandës, por kjo çështje u takon udhëheqësve politikë për ta zgjidhur thekson Komandanti Suptem (SACEUR), Gjeneral Alexus G. Grynkewich. Sidoqoftë, ende nuk është e qartë nëse këto diskutime do të sjellin përfundimisht një marrëveshje. Megjithatë, shumë zyrtarë shpresojnë se njëkohësisht mund të kënaqen si shqetësimet e Presidentit Trump në lidhje me sigurimin e Arktikut kundër kërcënimeve nga Rusia dhe Kina, edhe “vija e kuqe” e Evropës: sovraniteti i Groenlandës.

QËNDRIMI I GROENLANDËS DHE DANIMARKËS, NGRITJA E BAZAVE TË REJA DHE VIJA E KUQE

Pas ndryshimit të qëndrimit të Presidentit Trump, udhëheqësit danezë dhe të Groenlandës qëndrojnë të kujdesshëm dhe po përcaktojnë “vijat e kuqe”. Për ta, sovraniteti është një vijë e kuqe. Tradita inuite e ndalon pronësinë private të tokës, të cilën nuk e ka pranuar as NATO. Kësisoj, edhe pse shumë pyetje mbeten ende të pazgjidhura, kryeministrat e Danimarkës dhe Groenlandës kanë deklaruar gatishmërinë e tyre për të “zgjeruar” marrëveshjen e mbrojtjes të vitit 1951.

Kryeministrja daneze shprehet për “dy opsione”: i pari ka të bëjë me Aleancën, “Të gjithë brenda NATO-s”, – thotë ajo, “bien dakord për këtë pikë… ne kemi nevojë për një prani të përhershme të NATO-s në rajonin e Arktikut, duke përfshirë edhe rreth Groenlandës”, ndërsa opsioni i dytë është rruga “diplomatike dhe politike”, që ka të bëjë me “bashkëpunim ndërmjet Danimarkës, Groenlandës dhe Shteteve të Bashkuara për mbrojtje dhe siguri. “Diskutimet kanë filluar dhe aktualisht janë duke u zhvilluar (…) se si duhet të kryhet kjo punë”.

Studiuesi i njohur danez, Marc Jacobosen, në Qendrën për Studime të Sigurisë Arktike në Kopenhagen vëren se Shtetet e Bashkuara, tashmë, mund të kenë baza ushtarake shtesë dhe aftësi sulmuese të ngjashme me ato që kishin gjatë Luftës së Ftohtë: 17 baza. Ai sheh dy qasje të mundshme: e para, përfshirja e Groenlandës në projektin ‘Golden Dome’, aktualisht, porti hapësinor Pituffik është thjesht mbrojtës; mund të monitorojë dhe paralajmërojë për raketat, por nuk mund të kundërsulmojë ose sulmojë dhe statusi i tij duhet të ndryshojë; së dyti, “Të premtojmë qartë se do mënjanojmë të gjitha aktivitetet ruse dhe kineze në Groenlandë”. Profesor Jacobsen beson se groenlandezët janë të vetëdijshëm se nuk mund t’i shpëtojnë situatës së tyre gjeostrategjike dhe se duhet të arrijnë një lloj marrëveshjeje me Shtetet e Bashkuara nëse duan të ruajnë nivelin e tyre aktual të vetëvendosjes.

EVROPIANË TË ÇLIRUAR

Udhëheqësit evropianë mirëpritën njoftimin e zotit Trump dhe shprehën optimizëm se do të rezultojë në një fitore përfundimtare për sigurinë e Arktikut dhe unitetin e NATO-s. “Ne do të mbështesim parimet mbi të cilat është themeluar partneriteti transatlantik, përkatësisht sovranitetin dhe territorin”, – tha kancelari Merz. “Ne mbështesim bisedimet midis Danimarkës, Groenlandës dhe Shteteve të Bashkuara në bazë të këtyre parimeve”. Ndërsa BE u zotua të dyfishojë financimin e veta për Groenlandën në 530 milionë euro, duke filluar nga viti 2028, me synim mbështetjen e dixhitalizimit, lidhshmërisë dhe lëndëve të para “të gjelbra”.

Termat e madhështisë amerikane, si: një fuqi e madhe, udhëheqëse e bllokut perëndimor, një ekonomi e pashoqe, një ushtri e pakrahasueshme dhe fuqia e vet për të ndikuar në emër të vlerave perëndimore”, që kanë qenë të tilla për dekada, pavarësisht krizave të herëpashershme të llojeve të ndryshme, do të vazhdojnë të mbijetojnë. Evropianët nuk mund të humbasin besimin tek to si themeli i lidhjeve transatlantike, bashkëpunimit, i çdo dialogu diplomatik produktiv dhe i shkëmbimit të informacionit konfidencial midis agjencive të specializuara. Në Davos, Presidenti Trump shkatërroi murrin e izolimit strategjik dhe gjithkush ndihet i lehtësuar.

ROLI VENDIMTAR I SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM TË NATO-S, MARK RUTTE

Sekretarit i Përgjithshëm i NATO-s ka mbajtur gjithmonë marrëdhënie të mira me presidentin amerikan, por që nga shpërthimi i krizës, ka refuzuar të flasë publikisht, përveçse për të mbështetur një siguri më të madhe në Arktik pa mbajtur anën e Shteteve të Bashkuara ose Danimarkës. Në fakt, z. Rutte po përpiqej të gjente një mënyrë për të pajtuar pikëpamjet amerikane dhe daneze dhe për të bindur Presidentin Trump jo vetëm për pasojat shkatërruese të një operacioni të mundshëm ushtarak kundër një aleati të NATO-s, por edhe për aftësinë e aleatëve evropianë për të siguruar rajonin e Veriut të Epërm.

Sekretari Rutte u konsultua me zyrtarë danezë dhe të Groenlandës, të cilët e lejuan të informonte Presidentin Trump se Danimarka dhe Groenlanda janë gati të rishikojnë marrëveshjen e mbrojtjes të vitit 1951, që përcakton praninë e SHBA-së në Groenlandë. Kjo zgjidhje është frymëzuar, kryesisht nga Mbretëria e Bashkuar sipas statusit të dy bazave sovrane britanike në ishullin e Qipros: Akrotiri dhe Dhekelia, të cilat u mbajtën nga Kurora Britanike pas pavarësisë së Qipros në vitin 1960. Londra mund të kryejë atje aktivitetet e veta pa ndërhyrje nga qeveria qipriote. Në Pituffik, marrëveshja e vitit 1951, e rishikuar në 2004, u jep fuqi të konsiderueshme Shteteve të Bashkuara, por jo “sovranitetin”. Transferime të mundshme të sovranitetit, një çështje e ndjeshme, duhet të pranohen përfundimisht nga danezët dhe groenlandezët.

Propozimi i Sekretarit të Përgjithshëm synon një kornizë më të gjerë: përfshin angazhime “për të garantuar që Rusia dhe Kina nuk do të mund të kenë kurrë një prani ekonomike ose ushtarake në ishull”. Në mënyrë të ngjashme, do të zhvillohen diskutime mbi mënyrën e forcimit të sigurisë së Arktikut përmes përpjekjeve kolektive të Aleatëve të NATO-s, veçanërisht të shtatë Aleatëve të Arktikut: Finlandës, Suedisë, Norvegjisë, Danimarkës, Islandës, Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara.

EPILOG

NATO është themeli jo vetëm për mbrojtjen e Evropës, por edhe për mbrojtjen e Shteteve të Bashkuara. Që Shtetet e Bashkuara të qëndrojnë të sigurta u nevojitet një Arktik i sigurt, një Atlantik i sigurt dhe një Evropë e sigurt. Dhe kur bëhet fjalë për Arktikun, NATO duhet ta mbrojë Arktikun dhe NATO do të marrë më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e tij në mënyrë që “të parandalojë rusët dhe kinezët të kenë më shumë akses” në të. Por, pa Donald Trump, Aleanca nuk do të kishte arritur kurrë suksesin e domosdoshëm të Samitit të Hagës, që forcoi më tej këtë gur themeli. Nga 32 vende anëtare të Aleancës të Atlantikut, 23 janë në BE dhe kontributi i tyre përbën vetëm 25% të PBB-së të përgjithshme të NATO-s. 75% e PBB-së të NATO-s vjen nga jashtë Bashkimit Evropian, kryesisht nga Amerika dhe, siç thotë Sekretari i Përgjithshëm Rutte: “Pa dyshim, SHBA-të janë kombi më i fuqishëm në tokë dhe nuk mund ta imagjinosh NATO-n pa udhëheqësin e botës së lirë, që është pjesë integrale e kësaj organizate”. Dhe askush nuk e dëshiron këtë, as në Shtetet e Bashkuara dhe as në Evropë.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit