Kryetari i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka denoncuar një tjetër akt të qeverisë që sipas tij ka për qëllim mbrojtjen e zyrtarëve të lartë të pushtetit dhe bllokimin e drejtësisë.
Në një protestë të zhvilluar para Kryeministrisë, Lapaj ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për manipulim të Kodit Penal, duke synuar që të mbrojë ish-ministren Belinda Balluku, e cila është nën hetim për korrupsion dhe abuzime me tendera të rëndësishëm.
“Sot ata po mundohen me procedurë të shpëtojnë Belinda Ballukun në ndryshimet e fundit të Kodit Penal. Po pse e kanë bërë? Sepse duan të ruhen nga ata që po merren të pandehur nga drejtësia. Ju do të dënoheni dhe për parkimin dysh të makinave, ndërsa Belinda e Edit, edhe pse është vërtetuar se ka deformuar tendera në vlera miliona euro, me procedurë mbahet zvarrë duke mos e dorëzuar para drejtësisë,” tha Lapaj. “Për ju kërbaçi, për ju dhuna, për ju burgu, për ata karrigia e pushtetit dhe lekët tuaja, ndaj kjo duhet të marrë fund.”









