Në seancën e sotme të Kuvendit, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar hapur mazhorancën për mbrojtjen dhe mbështetjen e zv/kryeministres Belinda Balluku, e cila, sipas tij, po shmang dorëzimin përballë drejtësisë për akuzat e ngritura ndaj saj nga SPAK dhe GJKKO.
Me tone të ashpra, Berisha theksoi se ky është një veprim që dëmton jo vetëm imazhin e mazhorancës, por edhe të drejtat dhe përgjegjësitë që qytetarët presin nga deputetët.
“Ju jeni të gjithë prototipi i ‘të keqes banale’, të gjithë po mbroni Lubi Ballukun. A e kuptoni që nuk hiqni imunitetin e një njeriu dhe kjo shkakton zemërim dhe revoltë për qytetarët që mezi mbyllin ditën për kafshatën e gojës dhe ilaçet? Ju nuk mbani përgjegjësi për askënd. Ju të gjithë jeni shërbëtorë të saj dhe të kryeministrit. Shqiptarët kërkojnë të zhbllokohet pengimi i sistemit të drejtësisë, nuk mund të vazhdohet kështu”, tha Berisha, duke e akuzuar mazhorancën për papërgjegjshmëri dhe mbrojtje të individëve të korruptuar.
/5pyetjet.al









