Kryeministri Edi Rama ka komentuar për herë të parë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila ka lënë në fuqi pezullimin e Belinda Ballukut nga posti i zëvendës kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Rama e cilësoi këtë vendim si një pengim të qeverisë dhe një shembull të budallallëkut botëror, duke shtuar se as prokurori që kërkoi masën e pezullimit nuk e akuzon Ballukun për korrupsion.
“GJK s’e ka gjetur dot forcën për të mos e lejuar rimarrjen peng të qeverisë së Shqipërisë me një mjet të paparë dhe dëgjuar në botën demokratike si pezullimi i një anëtari qeverie. Kështu Shqipëria bëhet për herë të dytë në muaj shembulli i parë një budallallëku botëror se GJK u mbyt në ujin e turbullt të atyre të arsyes e mos arsyes. Por fakti se mosvendimmarrja e GJK kthen në fuqi pezullimin e ministres, e cila pavarësisht se qartësia është një luks i rrallë që mund ta kërkosh por vështirë ta gjesh në turbullirën e 700 tenxhereve nuk akuzohet për korrupsion, as nga vetë prokurori që e shpiku pezullimin. Sidoqoftë zhbërja e kësaj shpikje 100% Made in Albania e drejtësisë së re, të papjekur, mbetet një domosdoshmëri për të rigarantuar pavarësinë ekzekutive të parlamentit”, tha Rama.









