Në një bisedë gjatë Forumit Ekonomik të Delfit, Kryeministri Edi Rama hodhi poshtë idenë se Ballkani është një “lagje e harruar”, duke theksuar se rajoni është më i njohur dhe i përfshirë më shumë në axhendën e Bashkimit Evropian.
Ai shtoi se Shqipëria ka arritur më shumë vizibilitet dhe se për herë të parë, liderët e Ballkanit Perëndimor u ulën në një tryezë të përbashkët në vitin 2021 në Berlin. Sipas Ramës, BE tani është shumë më e vetëdijshme për rëndësinë e rajonit dhe përpjekjet për përmirësimin e dialogut dhe bashkëpunimit janë intensifikuar.
“Jemi në një kohë më të mirë se më parë. BE nuk ka qenë kurrë kaq e vetëdijshme për rëndësinë e rajonit tonë në gjeopolitikë, kemi më shumë vizibilitet se më parë. Gjatë dekadës së fundit është bërë normalizimi i dialogut dhe bashkëpunimit, por kurrë nuk kemi qenë kaq të përfshirë dhe të ulur së bashku në tryeza të përbashkëta.”









