Sekretari i përgjithshëm i qeverisë britanike, Chris Wormald, ka dhënë dorëheqjen, duke u bërë zyrtari i tretë i lartë që largohet brenda pak ditësh nga qeveria e kryeministrit Keir Starmer. Kjo lëvizje vjen pas një periudhe ristrukturimi të stafit qeveritar dhe pas reagimeve të forta lidhur me emërimin e Peter Mandelson si ambasador në Shtetet e Bashkuara.
Më herët, dorëheqje dhanë edhe Morgan McSweeney, shefi i stafit të Starmer, dhe Tim Allan, drejtor i komunikimit i kryeministrit, duke shtuar një atmosferë të tensionuar brenda qeverisë. Dorëheqja e Wormald vjen pas skandalit që lidhet me lidhjet e Peter Mandelson me financierin amerikan Jeffrey Epstein, i dënuar për krime seksuale. Kjo ka ngritur pyetje mbi vendimet dhe gjykimin politik të kryeministrit Starmer, i cili po përballet me presion të brendshëm.
Në një deklaratë për mediat, Starmer shprehu mirënjohje për karrierën e gjatë dhe mbështetjen e Wormald, duke e falenderuar për kontributin e tij. Nga ana e tij, Wormald e cilësoi detyrën si “nder dhe privilegj” dhe falënderoi bashkëpunëtorët. I emëruar në dhjetor të vitit 2024, ai qëndroi vetëm një vit në detyrë, duke u bërë një nga sekretarët e përgjithshëm me mandatin më të shkurtër në historinë britanike.
Këto zhvillime ndodhin në një kohë kur popullariteti i kryeministrit Starmer është në rënie, vetëm 18 muaj pas fitores së tij të thellë në zgjedhjet parlamentare.









