Në një kohë kur demokracitë përballen me presion nga autokracitë, konfliktet dhe sfidat e reja globale, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë thirrje për një angazhim më të madh në mbrojtje të vlerave demokratike.
Gjatë pjesëmarrjes në edicionin e 28-të të Simpoziumit SYMI në Greqi, Kurti diskutoi për sfidat me të cilat përballen vendet e Ballkanit, Ukrainës dhe demokracitë e tjera në vijën e parë të mbrojtjes së hapësirës evropiane.
“Bota nuk po përballet me një përplasje mes qytetërimeve, por me një përballje të brendshme mes ndërgjegjes dhe reaksionit. Autokratët duhen konsideruar si njerëz të lindur në shekullin e gabuar dhe tendencat paramoderne për monarki merkantiliste nuk mund të triumfojnë mbi republikën demokratike.”









