Sot mbahet seanca e fundit e deklaratave përmbyllëse në rastin kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi në Gjykatën Speciale në Hagë.
Mbrojtësi i viktimave, Simon Laws, ka nisur të përgjigjet për pretendimet e ngritura nga palët. Fillimisht ai u mor me pretendimin e mbrojtjes së Rexhep Selimit se mbrojtësi i viktimave nuk ka treguar lidhjen mes krimeve të pretenduara dhe Selimit.
“Nuk ka kusht ligjor që të vërtetojmë lidhjen mes Selimit dhe krimeve, në asnjë fazë të procesit. Ne sigurisht nuk jemi përpjekur të bëjmë lidhjen e krimeve dhe Selimit. Ne kemi paraqitur informacione dhe prova që kanë pësuar viktimat. Kjo kërkohet nga ne. Nuk është puna jonë të vërtetojmë akuzat ndaj Selimit, kjo është puna e Prokurorisë”, tha Laws.









