Parlamenti ka votuar katër nga pesë propozimet e ardhura për Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, duke shtyrë votimin për një nga kandidatët.
Me votim të fshehtë është votuar kandidatura e ish-deputetit të PD-së, Selami Xhepa si anëtar i këtij Këshilli me 74 vota pro dhe 16 kundër.
Ndonëse votimi ka qenë i fshehtë, numrat janë thuajse të njëjtë me ato të votimeve të hapura të zhvilluara gjatë seancës, çka nënkupton se deputetët e PD-së, nuk e kanë votuar emrin e ish-këshilltarit të Berishës.
Ish-kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj ka marrë 72 vota pro, 1 abstenim dhe 19 kundër. Edhe në këtë votim, socialistëve duket se u kanë rrjedhur 3 vota, pasi në votimet e hapura të projektligjeve kishin 75 deputetë në Parlament.
Votimi është shtyrë për Matilda Shehun, ndërsa ish-ministri Ervin Mete ka marrë 74 vota pro, 0 abstenim dhe 17 kundër.
Socialistët kanë votuar gjithashtu me 73 vota pro Jonida Prfitin, ndërsa 18 deputetë kanë votuar kundër.









