Policia e Shtetit ka njoftuar se dy ish-deputetët e Partisë Demokratike, Xhelal Mziu dhe Flamur Noka, janë vënë nën hetim pas kallëzimeve nga dy qytetarë, të cilët pretendojnë se janë dhunuar nga ta gjatë protestës së dhunshme të PD-së.
Sipas denoncimeve, Mziu dhe Noka kanë përdorur forcë ndaj qytetarëve, duke i shtyrë dhe goditur.
Një nga qytetarët, Tetem Toraj, ka deklaruar se Noka e ka trajtuar sikur të ishte një punonjës i policisë civile dhe ka reaguar në mënyrë të dhunshme ndaj tij.
Hetimi është në vazhdim dhe forcat e policisë po përpiqen të sqarojnë të gjitha rrethanat e ngjarjes.
Njoftim i policisë:
“Specialistët për Hetimin e Krimeve kundër Jetës dhe Pronës referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit F. N. dhe Xh. M., pasi ndaj tyre kanë kallëzuar shtetasit K. M. dhe T. T. se, më datë 20.02.2026, gjatë tubimit të zhvilluar nga subjekti politik Partia Demokratike, janë shtyrë dhe goditur prej tyre”
/5pyetjet.al









