Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, anëtar në Këshillin e Mandateve u shpreh se hetimi nuk ka sfond politik, pasi sipas tij Belinda Balluku apo avokatët e saj nuk kanë ngritur asnjë pretendim për ndikim politik/përndjekje politike nga prokurori.
Kryetari i grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi:
- Prokuroria konfirmon se janë konstatuar fakte të tjera penale për Ballukun. Gjendja e saj procedurale është rënduar. Ka rrezik të prish prova dhe të kryejë krime të tjera.
- Gjithashtu, konfirmoi se në datë 20 Nëntor 2025 ka intimiduar dy dëshmitarë, duke i kërkuar të ndryshojnë dëshminë.
- Po ashtu, prokuroria informoi se ka prova se disa persona “të fortë” (duke nënkuptuar elementë të krimit të organizuar) kanë kërcënuar dëshmitarët në emër të zonjës Balluku. Për këtë kanë paraqitur edhe provat në mbledhjen e Këshillit – transkripte të bisedave.
- Sipas prokurorisë znj. Balluku apo avokatët e saj nuk kanë ngritur asnjë pretendim për ndikim politik/përndjekje politike nga prokuroria. Hetimi nuk ka sfond politik. Ky fakt u konfirmua edhe nga avokatët e znj. Balluku, të cilët u shprehen se nuk kanë ndonjë pretendim të këtij lloji.









